Misioni i USAID në Kosovë ka mirëpritur miratimin e Ligjit për Gjykatën Komerciale nga Kuvendi i Kosovës, të cilin e kanë mbështetur ata gjatë procesit.
Përmes një deklarate në Facebook, nga USAID kanë deklaruar se ky Ligj do të përmirësoj besimin e sektorit privat dhe investitorëve të huaj.
“Urime Kuvendit të Kosovës për miratimin e Ligjit për Gjykatën Komerciale me votë unanime! Miratimi i tij i shumëpritur, ligji themelon një gjykatë speciale për trajtimin e mosmarrëveshjeve të biznesit dhe do të përmirësojë besimin e sektorit privat dhe investitorëve të huaj në të bërit biznes në Kosovë. Aktiviteti ynë #CommercialJustice mbështeti Ministrinë e Drejtësisë në zhvillimin e ligjit përmes një procesi shumë gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës që përfshinte gjyqësorin, ekspertë të ligjit tregtar, praktikues, akademikë dhe përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile”, thuhet në publikimin e tyre.
Me 74 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar Projektligjin për Gjykatën Komerciale.
Pas këtij miratimi, kryeministri i vendit Albin Kurti ka falënderuar të gjithë deputetët për votimin.
“Ligji për Gjykatën Komerciale krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare, me qëllim që të drejtat e bizneseve të fituara nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe administrative të realizohen pa vonesa, duke lehtësuar kësisoj shfrytëzimin e kapitalit. Ligji siguron lirinë e sipërmarrjes, barazinë e palëve, të drejtën e pronës dhe zbatimin e kontratave, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Po ashtu, ndërton besimin e investitorëve, duke përfshirë mërgatën tonë, dhe i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës”, ka shkruar kryeministri Kurti.