Prodhimet ushqimore me cilësi të dyshimtë, sidomos ato të mishit të përpunuar në Kosovë, apo edhe të importuar, jo rrallë herë rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, thonë ekspertë të teknologjisë ushqimore dhe përfaqësues të konsumatorëve.
Ata kanë thënë se kontrolli i pamjaftueshëm i mekanizmave shtetëror përgjegjës për kontrollin e ushqimit në vend, ka bërë që në treg të hasim edhe produkte të dyshimta.
Xhavit Ramadani, profesor i Teknologjisë ushqimore në Fakultetin e Bujqësisë ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se në Kosovë duhet të ketë më shpesh kontroll në kompanitë përkatëse, në mënyrë që qytetarët të konsumojnë ushqime më të sigurta.
“Mendoj se kontrolli nuk është i mjaftueshëm nga institucionet që merren më këtë punë dhe ndoshta do të duhej të ishte një kontroll më rigoroz.Duke marrë parasysh që situata mund të jetë më e ndjeshme në sezonin e verës, kur kushtet e ruajtjes së këtyre ushqimeve janë jo të mira, dhe në këtë kuptim duhet të ketë një qasje dhe angazhim më serioz në mënyrë që të kemi kontroll më të sigurt”, ka thënë Ramadani.
Në anën tjetër, Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, (AUV) ka deklaruar se produktet të cilët importohen, si dhe ato të cilët prodhohen në Kosovë iu nënshtrohen një kontrolli rigoroz. Por, nuk e përjashton mundësinë që produkte të dyshimta në treg të hyjnë në forma të kontrabanduara.
“Ne si institucion dhe agjenci jemi të pa kompromis ndaj atyre të cilëve tentojnë që në forma të ndryshme të fusin produkte që nuk i plotësojnë kushtet dhe standardet për përdorim. Kështu që në këtë drejtim të gjithë prodhuesit dhe përpunuesit në gjithë vendin kontrollohen dhe monitorohen nga ana e AUV-IT”, ka deklaruar Gjinovci.
Por, kryetari i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka theksuar për “Radion Evropa e Lirë” se prania e produkteve të dyshimta në tregun e Kosovës, paraqitet për shkak keqpërdorimit të detyrës zyrtare të inspektorëve në terren. Në raste të caktuara, Kaçaniku dyshon se në këtë sektor ka keqpërdorime të detyrës zyrtare, e të cilat kalojnë në heshtje.
“Ka shumë shushurima të të gjitha niveleve. Edhe nivelet e larta shushurinin se në këtë segment ka shume mitmarrje. Flitet për një shumë 800 euro për maune dhe asnjë biznesmen nuk ka guxim të paraqes rastin, sepse frikësohet për ardhmërinë e biznesit të tij.
Çuditërisht asnjë asociacion ekonomik apo biznes-or nuk është marrë më këtë problem. Mosmarrja më këtë problem, megjithatë flet diçka.
Shumë shpesh edhe heshtja flet, pasi ose janë pjesëmarrës të mitë-marrjes ose janë shefat janë pjesë e mitë-marrjes ose nuk kanë guxim të kyçen në këtë”, ka thënë Kaçaniku.
Ditë më parë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ne bashkëpunim me Doganat e Kosovës ka bërë asgjësimin e mbi 20 mijë kilogram të mishit të pulës me origjinë nga Britania e Madhe.