Ushqimi të cilin nuk duhet t’ua jepni fëmijëve

Prishtinë | 11 Nën 2022 | 22:15 | Nga

Disa ushqime nuk janë për barkun e fëmijëve të vegjël për disa arsye. Dhe e dimë se është më e thjeshtë t’u japim fëmijëve diçka që u pëlqen dhe të hanë “të paktën diçka”, por në këtë mënyrë edhe para se të mund ta imagjinoni, tek fëmijët do të krijohen shprehi negative.

Shmangni t’u jepni ushqime të pashëndetshme fëmijëve dhe zgjidhni ushqime të shëndetshme. Nëse nuk kanë zgjedhje, do ta hanë atë që u ofrohet, transmeton koha.net.

Këto janë ushqimet të cilat nuk do të duhej t’u jepen fëmijëve

Mjalti

Është një nga ushqimet më të shëndetshme, megjithatë, fëmijëve nën moshën dyvjeçare nuk duhet t’ua jepni, rekomandojnë mjekët për shkak se ai mund të përmbajë baktere që shkaktojnë botulizëm, një sëmundje potencialisht fatale.

“Kjo baktere nuk do të ketë ndikim negativ tek të rriturit, por sistemi imunitar i fëmijëve nuk është i zhvilluar sa duhet për t’i luftuar bakteret”, thekson nutrologu dhe eksperti për të ushqyerit e fëmijëve, Wesly Delbridge.

Pijet e gazuara

Dihet mirë që pijet e gazuara kanë shumë sheqer. Konsumi i tepruar lehtë mund ta shkaktojë zhvillimin e diabetit të tipit 2 dhe të shkaktojë sjellje agresive.

“Fëmijët thjesht nuk kanë shumë hapësirë në dietën e tyre për pije të cilat organizmit i sjellin shumë kalori të zbrazëta pa ushqyes”, thotë Joan Salge Blake, profesoreshë e shkencave shëndetësore në Universitetin e Bostonit.

Toni i konservuar

Peshku mund të jetë një burim i shkëlqyer i proteinave, yndyrave të shëndetshme, vitaminave, mineraleve dhe është shumë mirë që fëmijët sa më herët t’i “adaptojmë” me peshk. Megjithatë, disa peshq duhet të shmangen t’u jepen fëmijëve për shkak të sasisë së madhe të merkurit që e përmbajnë: toni i konservuar, peshk-shpata, skumbri…

“Peshku i cili përmban merkur mund të ndikojë në sistemin nervor të fëmijëve”, thotë Salge Blake.

Pijet izotonike

Nuk ka asnjë arsye që fëmijëve t’ua jepni këtë lloj të pijes, thotë Blake. Ato janë të destinuara për njerëzit pas ushtrimeve të lodhshme fizike për t’i rikthyer elektrolitet e humbura dhe për ta përshpejtuar shërimin e shpejtë të muskujve. Edhe nëse fëmija është kthyer nga trajningu i futbollit ose diçka të ngjashme, uji do të jetë i mjaftueshëm.

Qumështi i freskët i lopës

Ekziston një qëndrim i përgjithshëm që qumështi i freskët i lopës është më i shëndetshëm dhe më i pasur se qumështi i pasterizuar, por megjithatë është shumë i rrezikshëm për sistemin e tretjes së fëmijëve, thotë Blake.

“Qumështi i cili nuk është i pasterizuar është më i rrezikshëm për zhvillimin e sëmundjeve tek fëmijët sepse sistemi i tyre imunitar nuk është aq i zhvilluar sa ai tek të rriturit”, pohon Salge Blake.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme