Një vizitë e veçantë është zhvilluar sot në kompaninë Frutex, ku kanë mbërritur 25 ushtarë të aviacionit amerikan në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.
Vizita u bë edhe më e veçantë për shkak të mënyrës së mbërritjes së ushtarëve, të cilët ateruan në ambientet e kompanisë me dy helikopterë të tipit Black Hawk.
Gjatë qëndrimit në Frutex, ushtarët amerikanë vizituan fabrikën dhe patën mundësinë të shohin nga afër procesin e prodhimit, si dhe të njihen me zhvillimin dhe arritjet e kompanisë.
Frutex është një ndër kompanitë më të mëdha eksportuese në Kosovë dhe njihet për brendet Golden Eagle, Natural 100% dhe Relax.
Pas vizitës në fabrikë, drejtuesit e kompanisë organizuan një drekë të përbashkët me ushtarët amerikanë, të cilët prej disa vitesh shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it.
Gjatë qëndrimit të tyre, ushtarët vizituan edhe ambientet e ndërtuara nga familja Palushi, të cilat i janë dedikuar ruajtjes dhe përkujtimit të historisë dhe sakrificës së popullit të Kosovës.
