Ushtarët amerikanë në Kosovë trajnohen virtualisht për luftë

Prishtinë | 30 Maj 2017 | 21:44 | Nga

Ushtarët amerikanë që janë pjesë e KFOR-it janë duke iu nënshtruar një trajnimi virtual që simulon skenarë të vendeve në gjendje lufte.

“Ky sistem u lejon njësive që të mbajnë gatishmërinë e tyre luftarake edhe kur janë të vendosur në ambiente siç është Kampi Bondstill, ku ka resurse të kufizuara të trajnimit taktik”, shkruan Kapitenia Racheal Jeffcoat për dvidshub.net.

Ajo sqaron se ushtarët “transportohen” virtualisht në lokacione të ndryshme, ndërsa ekranet që janë përreth tyre paraqesin terrene, rrugë, por edhe civilë duke ecur nëpër fshatra. Ushtarët pastaj kërkojnë në ekranet 360 shkallë për armiqtë derisa ata flasin edhe në radio me pjesëtarë të tjerë të togës si dhe “drejtojnë” veturat ushtarake Humvees nëpër rrugë.

“Misioni primar i RVTT, kur është prezantuar së pari në tetor të vitit 2009, ka qenë që ushtarët të ushtrojnë operacionet për t’u përgatitur për misionet në Afganistan e Irak”, shkruan Jeffcoat, transmeton Insajderi.

“Kjo u kursen njësiteve kohë por edhe para”, thotë Bruner Caudill, menaxher i projektit për këtë sistem, duke shtuar se ky sistem kursen burime që duhen shfrytëzuar për të ushtruar me gjëra në jetën e vërtetë, siç janë armatimi, veturat e të tjera.

“Jo vetëm se ky sistem kursen burimet, por u lejon njësiteve që të vazhdojnë trajnimin e tyre për të përmirësuar aftësitë, duke zvogëluar rrezikun e lëndimeve”, shkruan kapitenia.

Ajo e përshkruan këtë dhomë ku zhvillohet trajnimi sikur një video-lojë tre-diemsionale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme