Pagat e ulëta po detyrojnë ushtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që të bëjnë punë dytësore në sektorin privat për të siguruar mirëqenien e familjes, raporton Ekonomia Online.
Ekspertë të sigurisë dhe deputetë kërkojnë trajtim dinjitoz nga Qeveria për këto dy forca të sigurisë dhe mbrojtjes.
Duke punuar në ndërtim, dy ditë më parë humbi jetën ushtari i FSK-së, Liman Musliu.
Prokuroria e Prishtinës njoftoi se Musliu dyshohet të ketë rënë nga kati i 11-të i një ndërtese gjatë punës.
Ai u varros dje në fshatin Likoc, pranë Shtabit të UÇK-së.
Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se niveli i pagave të ushtarëve është mjaft i ulët.
Sipas tij, secili pjesëtarë i FSK-së dhe i Policisë së Kosovës është i obliguar të punojnë punë dytësore, që të arrijnë kushtet minimale të jetesës.
“Niveli i pagave të ushtarëve, sidomos oficerëve është mjaft i ulët. Ata me ato paga nuk mund ta lidhin muajin me muaj. Ka kohë, ka mbi dy vite që personalisht kam apeluar te Qeveria që pagat e pjesëtarëve të FSK-së dhe policisë së Kosovës të rriten, sepse nëse duam mbrojtje dhe siguri, ata njerëz duhet t’i trajnojmë me dinjitet. Rasti i fundit tragjik është i vdekjes të ish-luftëtarit të UÇK-së dhe pjesëtarit të TMK-së, i cili në fund ishte dhe në FSK. Secili pjesëtarë i FSK-së, por edhe nga Policia e Kosovës jetë e obliguar që të punojnë edhe punën e dytë, që të arrijnë kushtet minimale të jetesës. Kjo Qeveri duket se nuk ka interes, për gjendjen sociale të FSK-së, ushtarit dhe policit të Kosovës”, tha Veseli.
Ai tha se shpreson në një të ardhme me dinjitet për këto dy kategori
“Pra, fatkeqësisht nuk është trajtuar asnjëherë me dinjitet paga e policit dhe ushtarit, përjashtimisht në kohën kur ka qenë kryeministër Hashim Thaçi, kur na janë rritur pagat me 50 për qind”, theksoi Veseli.
Ai theksoi se qeveria betohet për rritje të pagave, por që sipas tij nuk ka pasur asnjëherë trajtim dinjitoz nga niveli qendror.
“Asnjëherë nuk ka pasur trajtim dinjtoz të ushtarëve, policëve dhe shërbyesve civil në tërësi. Është një rregullore që mund të punoj punë të dytë, vetëm nuk duhet të bie në konflikt me detyrën primare që e kryen në FSK. Qeveria nuk i ka trajtuar, këndej betohen për rritje të pagave, por ata kur bëhet data një e muajit e dinë çfarë paga marrin. E di saktë se cilat janë pagat e tyre, e dinë edhe Qeveria”, ka potencuar ai.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu për Ekonomia Online vdekjen e Musliut e konsideroi si rastin më tragjik, duke shtuar se siguria e vendit është mbi partitë politike.
Ajo bënë të ditur se policët e Kosovës dhe ushtarët e FSK-së, përveç punës primare, detyrohen të punojnë dhe dy deri në tri puna të tjera, për të ngopur familjen me bukë.
“Fillimisht më lejoni që të shpreh ngushëllimet familjes Musliu nga Likoci i Skenderaj, vërtetë është një humbje e madhe edhe për familjen, miqtë por edhe për Kosovën. Është jashtëzakonisht lajm i rëndë dhe jemi të tronditur të gjithë me marrjen e lajmit për humbjen e jetës tragjike të Liman Musliu, fillimisht dua të solidarizohem me familjen e tij. Pa dashur që asnjëherë që tragjeditë t’i politizojë, pa dashur që të bëjë politikë për çështjen e sigurisë së Kosovës, sepse kam thënë në qindra adresime të mia qoftë në Kuvend e intervista të ndryshme”, tha Musliu.
Ajo tha se disa herë ka alarmuar gjendjen e rëndë të policëve dhe ushtarëve.
“Siguria e vendit është mbi partitë politike, mbi individin unë e kam dhënë alarmin shumë herë, që ushtarët e FSK-së, policët e Kosovës po detyrohen që të mbajnë nga dy tri puna për ta mbajtur dhe ngopur familjen me bukë”, është shprehur Musliu.
Deputetja Musliu ka thënë se paga e policëve e ushtarëve nuk mbulon koston e jetesës familjare. Ajo shpreson që pas këtij rasti, shteti do të reflektoj dhe do të garantoj mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
“Edhe Limani ka qenë njëri ndër ta, e kam njohur personalisht dhe e di saktësisht me çka është përballur ai për pagat që i marrin. Në FSK, Polici, nuk i mbulon dot koston e jetesës familjare. Ju e dini që shtrenjtimet janë në qiell, prandaj që rasti i Limanit të jetë i fundit. Uroj dhe shpresoj që ky shtet të reflektoj njëherë e përgjithmonë dhe të garantoj në mirëqenien e Republikës së Kosovës”, shtoi ajo.
Ndërsa, Policia e Kosovës në një përgjigje për Ekonomia Online ka bërë të ditur se në bazë të udhëzimit administrativ, policët kanë të drejtën të kenë punë dytësore apo punë jashtë detyrës zyrtare.
“Zyrtarët policor sipas Udhëzimit administrative në fuqi kanë të drejtë për; Punë dytësore dhe Punë jashtë detyrës zyrtare”, kanë thënë Policia për EO.