Ushtarët e tij e pësuan më së shumti, si i qortoi Komandanti i KFOR-it të dyja palët

Prishtinë | 30 Maj 2023 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka bërë të ditur se është duke u marrë edhe personalisht me situatën e krijuar në veri të Republikës së Kosovës. Ristuccia ka thënë se për tensionet në veri dhe për gjithë atë që ka ndodhur në komunat veriore të dy palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë dhe të veprojnë për të parandaluar çdo përshkallëzim të mëtejshëm.

Ai ka thënë se një gjë të tillë duhet ta bëjnë të dy palët në vend se të fshihen pas atyre që  Ristuccia i ka cilësuar si “tregime të rreme”.

“Për të shmangur përleshjet ndërmjet palëve dhe për të minimizuar rrezikun e pas përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme.”, ka thënë Ristuccia.

Në këtë komunikatë është bërë e ditur se numri i ushtarëve të plagosur gjatë përplasjeve të djeshme me protestuesit serbë është 30. Njëmbëdhjetë ushtarë janë të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë janë të kontingjentit hungarez.

Lëndimet përfshijnë fraktura të gjymtyrëve, djegie, ndërkohë që 3 ushtarë hungarez janë të plagosur me armë zjarri.

Institucionet e Republikës së Kosovës pas mbajtjes së zgjedhjeve në 4 komunat veriroe, me arsyetimin për përmbushje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të vendit, kanë dërguar 4 kryetarët e rinj në objektet e komunave me përcjellje policore.

Një vendim i tillë i Qeverisë së Kosovës është bërë në kundërshtim me këshillën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjë që ka nxitur edhe qortimin e ashpër të Sekretarit të SHBA-së, Antony Blinken. Në reagimin e tij Blinken ka dënuar aksionin e Kosovës në veri të vendit dhe ka thënë se veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës do të kenë ndikim edhe në raportet Kosovë-SHBA.

Serbët lokalë janë duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet e komunave, meqë sipas tyre ata s’kanë legjitimitet. E gjithë kjo situatë vjen pas organizimit të zgjedhjeve lokale për këto katër komuna, pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet.

Si rezultat i bojkotit të “Listës Serbe”, dalja në këto zgjedhje ka qenë tepër e vogël. Pavarësisht daljes, Kosova ka proceduar me procedurat e betimit të kryetarëve të rinj nga Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK, ndërkohë që ndërkombëtarët kanë ngritur shqetësimet e tyre për legjitimitetin dhe kanë thënë se zgjedhjet e mbajtura s’janë zgjidhje afatgjate.

Të ngjashme