Ushtari amerikan i reagon Kurtit: Sigurohu që të mos kem nevojë që të vij për t’ua ruajtur paqen përsëri

Prishtinë | 09 Sht 2020 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Një ushtar amerikan i ka reaguar me ironi liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, të martën në rrjetin social Twitter.

Kurti mori goxha shumë reagime pas publikimit të një deklarate të ashpër kundrejt marrëveshjes ekonomike Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga ShBA-të e të nënshkruar të premten në Shtëpinë e Bardhë.

Përveç zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë dhe Emisarit të Posaçëm, Richard Grenell, atij i reaguan edhe personalitete të tjera që kanë lidhje direkte apo indirekte me Kosovën.

Në mesin e tyre ishte dhe reagimi i AJ Todd, një llogari në Twitter që pretendon të jetë ushtar amerikan e që nga aktiviteti në këtë rrjet social shihet se është mbështetës i Trumpit.

Todd ia përmendi Kurtit intervenimin amerikan në Kosovë.

“Sido që të jetë çështja, thjesht më bëj një nder dhe sigurohu që të mos kem nevojë të vij më për t’ua ruajtur paqen (në Kosovë)”, i tha tha Todd, Kurtit.

Kurti, në deklaratën e tij tha se marrëveshja Serbi-Kosovë nuk do të ratifikohet në Parlament dhe se me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes, qeveria e re e Kosovës nuk do të respektojë pikat e saj, të cilat i vlerësoi të jenë “kundër vullnetit të popullit”.

Kurti, po ashtu deklaroi se “lehtësuesit e dialogut nuk duhet të bëjnë presion për marrëveshje që krijojnë problematika të tjera midis Serbisë dhe Kosovës. Vetëm një dialog i përgatitur mirë dhe me principe mund të çojë në marrëveshje të qëndrueshme”.

Të ngjashme