Që nga koha kur u arrestua dhe kur u akuzua për vrasjen e tetë kolegëve në një bazë ushtarake në tetor të vitit të kaluar, ushtari rus, Ramil Shamsutdinov, është duke u mbajtur i mbyllur në qendër paraburgimi në Siberi.
Prej fillimit, rekrutët, të afërmit dhe përkrahësit e tij janë mundur ta justifikojnë atë që e ka bërë ushtari, duke e quajtur veprim vetëmbrojtës dhe kundërpërgjigje ndaj poshtërimit të tmerrshëm që e ka përjetuar nga kolegët.
Tash, në kohën kur hetimet kundër tij po vazhdojnë, djali 20 vjeç ka dhënë sqarime për incidentin përmes një letre nga qendra e ndalimit.
“Pendohem për faktin që nuk kam mundur ta kontrolloj veten dhe që e drejtova veten te ky hap i skajshëm, por nuk pata zgjedhje tjetër. Nuk munda ta duroj më poshtërimin”, thuhet në letrën e rekrutit.
Ai është akuzuar se më 25 tetor të vitit të kaluar i ka qëlluar për vdekje tetë ushtarë dhe i ka plagosur dy të tjerë.
Pas arrestimit të tij, Ministria e Mbrojtjes u mundua ta portretizonte atë si person me gjendje të paqëndrueshme psikike. Megjithatë, rekruti thotë se këtë vepër e ka kryer për shkak të poshtërimit të vazhdueshëm dhe dhunës së përjetuar nga mbikëqyrësit dhe kolegët.
Në letër, ai u ankua se nuk kishte ku të ankohej dhe se brenda tij në fund mbizotëroi instinkti i mbijetesës, shkruan “Free Europe”.