Maksym kishte luftuar për 200 orë pa pushim kur u vra nga një snajper rus në qytetin ukrainas, Bakhmut.
“Për tetë ditë nuk ka ngrënë, as nuk ka fjetur”, thotë nëna e tij Lilia. “Ai nuk mundi të mbyllte as sytë për pesë minuta, sepse snajperi mund ta qëllonte”.
Ka një arsye pse ajo tani e quan Bakhmutin “ferr”. Është qyteti që ia mori jetën njërit prej fëmijëve të saj dhe ia la të plagosur rëndë fëmijën tjetër të vetëm.
Maksym dhe Ivan dolën vullnetarë për të luftuar kur Rusia pushtoi Ukrainën vitin e kaluar. Në atë kohë Maksym ishte 22-vjeçar dhe Ivan vetëm 18 vjeç.
Ivan, vëllai më i vogël që ende është i plagosur, thotë se ata ishin të pandashëm.
“Ai ishte gjithmonë me mua dhe unë me të. Për mua ai ishte njeriu më i dashur”.
Ivan ka video dhe fotografi të tyre së bashku dhe i shikon ato derisa përpiqet që të pushojë.
Momentet e tyre të fundit së bashku i kaluan të përfshirë në luftime brutale shtëpi më shtëpi në Bakhmut.
“Ishte e pamundur të flinim atje. Ne po sulmoheshim 24/7”, ka thënë Ivan.
Ai ka treguar se ishte drejtues i një njësie ushtarake dhe para se të plagosej ishte duke qëndruar me vëllanë e tij në një dhomë të mbyllur, ku kur u urdhëruan të dilnin ai u godit nga rusët.
Ai thotë se më pas ndjeu ngrohtësinë e gjakut që i rridhte nga lëndimet në fytyrën e tij. Ai nuk mendonte se do të mbijetonte.
“Mendova se kisha mbaruar, do të rrjedh gjak dhe kaq do të jetë.”
Por Maksym, vëllau i tij i ndjerë, i doli me vrap për ta shpëtuar dhe e tërhoqi zvarrë brenda një ndërtese për t’u mbuluar.
“Më ringjalli, më nxori dhëmbët e thyer dhe filloi të më jepte ndihmën e parë”, thotë Ivan. Kjo përfshinte shpimin e një vrime në fytin e Ivanit për ta parandaluar atë të vdiste.
Ivan nuk ka asnjë dyshim se ai do të kishte vdekur nëse nuk do të ishin veprimet e Maksym.
“Vëllai nuk më la të vdisja, më shpëtoi”, tha ai.
Maksym thirri urgjentisht radion për ndihmë. Por mjekët e parë që u përpoqën ta arrinin u vranë të gjithë në automjetin e tyre kur u godit nga një raketë ruse. U deshën edhe nëntë orë të tjera para se Ivan të mund të shpëtohej.
Dhe më pas erdhi akti i jashtëzakonshëm i vetëmohimit të Maksym. Në vend që të udhëtonte me vëllanë e tij drejt sigurisë, ai doli vullnetar të qëndronte në Bakhmut, për të udhëhequr njësinë e tyre.
Ende duke luftuar atje një javë më vonë, Maksym u vra nga një snajper rus.
Në Ukrainë funeralet e ushtarëve tani janë po aq konstante sa zhurma e artilerisë në vijën e frontit. Por ata nuk janë të gjithë si Maksym. Krahas familjes së tij të pikëlluar, i gjithë qyteti i Tomakivka kishte dalë për të nderuar.
Qytetarët të gjithë u gjunjëzuan derisa arkivoli i tij shkonte në varreza, shkruan BBC, trasnmeton Klankosova.tv.