Për një javë njësitë elitare të forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që veprojnë në Evropë do të zhvillojnë stërvitje ushtarake në Shqipëri.
Ata kanë zbarkuar në bazën ushtarake në Kuçovë me një arsenal të konsiderueshëm.
Njoftimin për këtë e dha Ministrja e Mbrojtjës e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila theksoi rëndësinë e kësaj stërvitje së bashku me Forcat e Armatosura Shqiptare.
“Tre avionë “MC-130J Commando II” dhe ekuipazhet e tyre, pjesë e njësisë së operacioneve speciale amerikane në Evropë, përdorën këto ditë për qëllime stërvitore infrastrukturën dhe hapësirën tonë ajrore, e cila pritet të përmirësohet ndjeshëm me investimin në Bazën Ajrore të Kuçovës.”
Xhaçka shtoi se prania e SHBA-së me një artileri të tillë është një dëshmi e vëmendjes së SHBA-ve për modernizimin e ushtrisë shqiptare.
“Prania e avionëve të përmasave të tilla të ushtrisë amerikane është dëshmi e vëmendjes gjithnjë e më të shtuar të SHBA ndaj Shqipërisë, vëmendje që vitet e fundit është konkretizuar me modernizimin e FA dhe trajnimin e ushtarakëve tanë.”
E para e Mbrojtjes tutje tha se një grup i pilotëve po stërvitet në Amerikë për përdorimin e helikopterëve “Black Hawk”.
“Ndërkohë që njësia e operacioneve speciale amerikane zgjedh Shqipërinë si vendin e duhur për stërvitjen e tyre, në anën tjetër të oqeanit, një grup pilotësh të Forcës sonë Ajrore po stërviten për përdorimin e helikopterëve Black Hawk.”
Ajo ka falënderuar popullin amerikan për ndihmën e dhënë Shqipërisë.
“Falënderoj Qeverinë amerikane dhe taksapaguesit amerikanë për kontributin në rritje dhe vëmendjen gjithnjë e më të madhe ndaj hapave të sigurt që vendi ynë po hedh në drejtim të sigurisë dhe mbrojtjes.”.