Ushtria e Libanit ka nxjerrë në rrugët e Bejrutit trupa dhe mjete të rënda ushtarake për ta marrë situatën nën kontroll pas protestës së përgjakshme ku janë vrarë së paku gjashtë persona.
Përmes një deklarate të publikuar në Twitter, forcat e armatosura të Libanit paralajmëruan se do të qëllojnë secilin person të armatosur në zonën ku ka shpërthyer përleshja e armatosur dhe bënë thirrje që të zbrazen rrugët afër përleshjeve, në lagjen Tayouneh.
Sidoqoftë, një zyrtar i lartë i Hezbollahut i tha televizionit amerikan, CNN, se grupi i tij nuk do të kundërpërgjigjet me zjarr pas paralajmërimit të ushtrisë. “Ata duan që të na fusin në trazira civile dhe ne nuk duam që të mbjellim trazira civile”, tha ky zyrtar.
Qindra përkrahës të grupit të lidhur me Iranin, Hezbollah, dhe aleatit kryesor të tij, Amal, marshuan drejt Pallatit të Drejtësisë në Bejrut për ta kërkuar shkarkimin e gjykatësit që po merret me rastin e shpërthimit masiv të vitit të kaluar.