Ushtria ukrainase hyn në një qytezë kyçe në lindje të vendit

Prishtinë | 10 Sht 2022 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Forcat ukrainase kanë hyrë në qytezën lindore, Kupiansk, teksa shënojnë fitore tjera në kuadër të kundërofensivës së tyre ndaj forcave ruse, kanë thënë zyrtarët.

Kupiansk është një zonë e rëndësishme për forcat ruse në lindje të Ukrainës, pasi përmes saj furnizohen në luftën që kanë nisur kundër Ukrainës në fund të muajit shkurt.

Forcat speciale ukrainase kanë publikuar fotografi në rrjetet sociale, në të cilat shihen ushtarët në qytezë.

Ky përparim mund të konsiderohet ndër më të rëndësishmit prej kur Rusia ka tërhequr trupat nga rajoni i Kievit në muajin prill.

Nëse konfirmohet, kjo fitore mund të përdoret si shenjë që ushtria ukrainase mund të kthejë mbrapsht territorin e pushtuar nga Rusia, me ndihmën e armëve që po ia siguron Perëndimi.

Për Rusinë, ky përparim i ukrainasve mund të shihet si kthim i rëndë mbrapa.

Më herët gjatë ditës, zyrtarë britanikë të mbrojtjes, kanë thënë se Ukraina ka avancuar 50 kilometra në territorin e kontrolluar nga Rusia.

“Forcat ruse ka gjasë të jenë zënë në befasi”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 9 shtator se ushtria e tij ka shënuar fitore të konsiderueshme dhe se 30 vendbanime janë çliruar rreth rajonit të Harkivit, prej nisjes së kundërofensivës më herët gjatë kësaj jave.

Edhe zyrtarët amerikanë kanë thënë se janë duke parë përparim të forcave ukrainase në rajonet e Harkivit dhe Hersonit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Të ngjashme