Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një grua nga Gadimja e Lipjanit, e cila e ka raportuar bashkëshortin, për shkak të dhunës që dyshohet se ka ushtruar ndaj saj.Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima ka deklaruar se burri ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj, teksa ka zbuluar se edhe e ka rrahur fizikisht, por nuk e ka raportuar asnjëherë më parë.
Sinjali mëson se si rezultat i denoncimit, viktima dhe i dyshuari janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë versionet e tyre lidhur me atë që ka ndodhur.
Sipas informacioneve të para, viktima ka deklaruar se nuk ndihet në rrezik dhe dëshiron të kthehet në shtëpinë e tyre për t’ia dhënë edhe një shans burrit të saj pas gjithë problemeve që kanë pasur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti si “Dhunë në familje”.