Utopi rreth asaj, cfarë do duhej të ishte një parti e mirëfilltë politike

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 17:32 | Nga Ekonomia Online


Sistem i organizuar shoqëror, që funksionon duke u udhëhequr nga parimet dhe vlerat themelore të orientuara në dobinë dhe mirëqënien e “shumicës së popullit”, parime dhe vlera, që i kanë votuar një-nga-një 2/3-tat e kuvendit të përgjithshëm të partisë dhe që përbëjnë programin parimor, duke besuar fuqishëm në këto vlera dhe parime dhe duke u identifikuar me to. Për të realizuar idetë e bazuara në programin parimor të partisë, përzgjidhen dhe emërohen njerëzit, që kanë aftësi për lidership (për t’i prirë popullit) dhe profesionalizëm për të arritur rezultate të frytshme për “shumicën e popullit”. Sistemi “parti politike” duhet të ekzistojë dhe funksionojë gjithnjë me qëllimin për t’i sjellur dobi njerëzve jashtë sistemit “parti politike” – popullit. Asnjë dobi shtesë pos kompensimit të drejtë material nuk duhet të pranojë një person, i cili është duke kryer një funksion publik në shërbim të popullit.


Ajo, cfarë partitë politike mjerisht janë në të vërtetë
Lodhemi kot, nëse themi, se qëllimi i një partie politike duhet të jetë ajo, që u tha më lart. Realisht, qëllimi i një partie politike është ajo, cfarë ajo parti politike është duke bërë. E thjeshtëzuar: nëse partia politike është duke vjedhur, atëherë vjedhja është qëllimi i saj; nëse partia politike është duke zhvilluar nepotizëm, atëherë nepotizmi është qëllimi i saj; nëse, nëse, nëse … Mos të mashtrohemi me deklaratat e partive politike, kur tregojnë se cili është qëllimi i tyre. Qëllimi i tyre identifikohet nga veprat e tyre. Veprat e tyre i sheh cdonjëri. Partitë politike janë sisteme, që ekzistojnë dhe funksionojnë për tu sjellur dobi personave brenda sistemit “parti politike”, jo popullit – kjo është e vërteta! Nëse kanë programe parimore – për një numër të partive politike jam dëshmitar, se si janë krijuar ato – të jeni të bindur, se as nuk janë votuar me 2/3-tat e kuvendit të përgjithshëm, as nuk bazohen në vlerat dhe parimet e shumicës së partisë, dhe si rezultat i kësaj, askush në parti nuk beson në ato vlera dhe parime. Asnjë veprim nuk e ndërmarrin, nëse pos pagës së merituar nuk pasurohen në dëm të popullit. I vetmi sistem shoqëror, të cilit i lejohet të funksionojë dhe ekzistojë në dobi të personave brenda sistemit të vet, është “familja”. Të gjitha resurset materiale, të gjitha informatat, e gjithë koha, që familja ka në dispozicion, do t’i shfrytëzojë në mënyrë që t’i sjell antëtarëve të vet dobinë maksimale. Por ky shembull nuk guxon të vlejë për asnjë sistem tjetër shoqëror, as për partinë politike, as për qeverinë, as për shkollën, as për universitetin, as për spitalin, as për biznesin. Të gjitha këto duhet të ekzistojnë për tu sjellur dobi personave jashtë sistemit të tyre dhe duhet të kompensohen me meritë vetëm për punën e bërë. Shkolla duhet tu sjell dobi nxënësve dhe ekziston vetëm për nxënësit, të mos kishim nxënës, nuk do kishim shkolla, universiteti për studentët, spitali për pacientët, biznesi për klientin, partia politike si në pozitë ashtu edhe në opozitë për qytetarin. Duke i sjellur dobi atij, për të cilin ekziston sistemi, siguron ekzistencën e vet. Gjithcka tjetër është e gabuar dhe jetë-shkurtër, e bën sistemin labil dhe rrezikon ekzistencën e vet.

(Shkrim nga Xhevat Muharremi)


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme