Një vajzë 11-vjeçare, e cila ishte viktimë e dhunës seksuale, është detyruar ta lindë foshnjën në Argjentinë pasi autoritetet nuk e kanë lejuar të abortojë. Ky rast e ka nxitur reagimin e aktivistëve për të drejtat e grave, të cilët po kërkojnë që aborti për raste të tilla të lejohet me ligj.
Identiteti i vajzës nuk është bërë i ditur, por ajo i është nënshtruar operacionit me prerje cezariane në javën e 23-të të shtatzënisë. Ajo i kishte lutur zyrtarët shëndetësorë që të abortojë, por ata e kishin kundërshtuar një gjë të tillë. Besohet se foshnja nuk do të mbijetojë për shkak se është lindur para kohës.
Vajza kishte mbetur shtatzënë pasi ishte dhunuar nga një burrë 65-vjeçar. Ai është partneri i gjyshës së saj, ndërsa e kishte fituar të drejtën e mbikëqyrjes së vajzës dhe motrave të saj në vitin 2015.
Raportohet se kjo vajzë ka tentuar dy herë të bëjë vetëvrasje pasi ka kuptuar se ka mbetur shtatzënë. Sidoqoftë, ajo më vonë u shtri në spital dhe u mor në mbikëqyrje nga autoritetet shtetërore.
Vendimi i autoriteteve për refuzim të kërkesës për abort është dënuar nga shumë aktivistë për të drejtat e grave. Besohet se një kërkesë e tillë është paraqitur disa herë, por është refuzuar për pesë javë me radhë, shkruan “Washington Post”, transmeton Gazeta Express.