E bija e shkrimtarit Dritëro Agolli, Elona Agolli, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë. Me një postim në rrjetet sociale, ajo shkruan se edhe pse ai u largua nga kjo jetë, do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët.
“Ndoshta, do të kishin dashur të prisnin ndryshe, të fundmen ditë… njëlloj ashtu siç i madhi Niko Kazanxaqis, admironte vdekjen në këmbë, të njëjtë me ushtarët e Pompeut.
Apo, si ai që përfshihej nga llava e vdiste në këmbë, si statujë. Edhe atë ditë që babi nuk më lëshonte duart nga flokët, duke i tërhequr si litarë, atë ditë në spitalin me muret gri dhe frymën e kobshme të vdekjes, ai këtë gjë donte të më thonte.
Jam e bindur që edhe ai, miku i hershëm dhe i gjithjetshëm i babait tim, ashtu do ta dëshironte.
E sido që të jetë, Ismail Kadare, që sot do të prehet në banesën e fundme, me kurmin në tokë, por shpirtin afër qiellit, ashtu siç përherë të mëdhenjtë shkrimtarë e kanë në jetën tokësore, por edhe në atë në amshim, brez pas brezi e shekull pas shekulli, do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët, më i ndriçuar, ndër të ndriçuarit. Lamtumirë, i adhuruari shkrimtar! Lamtumirë, për mua, xhaxhi Ismail”, – shkruan ajo.