Vajza e rreshterit të vrarë, Afrim Bunjakut, Arbenita tha se babai i saj është flijuar për lirinë e vendit, raporton Ekonomia Online. Mes lotësh, ajo tha se do ta përkujtojnë gjithmonë me mall dhe dhimbje.
Me fjalimin e saj, në mbledhjen komemorative për nder të policit që u vra dje në veri të vendit, Arbenita emocioni të pranishmit, duke thënë se “mbeta jetim para kohe, si të jetoj pa ty”.
Përkundër dhimbjes, ajo u shpreh krenare për veprën e babait të saj.
“Heroi im, babai im. Sa vështirë e kam të shkruaj për ty, para kohe mbeta jetim kurrë se kam besuar. Ikja jote na la një plagë, si të jetoj unë pa ty. Hyra brenda në shtëpi dhe nuk të pashë”.
“… por si të jetojmë pa ty. Babi ti ishe një njeri i dashur, ku e flijove vetën për liri, për këtë vend që ne dhe Kosova të gjithë të jemi krenar për ty me heroizmin tënd”, tha ajo.
Polici i vrarë pas vetes ka lënë përveç vajzës edhe dy djemtë dhe gruan.