Vaksina antiCOVID-19 e “AstraZeneca” duket se ka vetëm një efekt të kufizuar mbi një variant të sëmundjes që e ka origjinën në Afrikën e Jugut, sipas një raporti në “The Financial Times”.
Rezultatet, që do të lëshohen të hënën, tregojnë se vaksina mund të jetë e dobishme kundër rasteve ekstreme të lidhura me variantin B.1.351, por vepron shumë pak në ndalimin e transmetimit në rastet më të dobëta.
Megjithatë, studiuesit në Universitetin e Oksfordit, që ndihmoi në zhvillimin e vaksinës dhe në Universitetin e Witwatersrand vunë në dukje, gjithashtu, se studimi përfshin vetëm 2 000 subjekte relativisht të rinj dhe të shëndetshëm, që do të thotë se të dhënat mund të jenë të njëanshme.
“Ne besojmë se vaksina jonë mund të mbrojë nga sëmundja e rëndë, pasi aktiviteti i antitrupave neutralizues është i barabartë me atë të vaksinave të tjera antiCOVID-19, që kanë treguar aktivitet kundër rasteve më të rënda, veçanërisht kur intervali i dozimit përmirësohet në tetë deri në 12 javë”, tha një zëdhënësi i “AstraZeneca” në raport, raporton ATSh.
Studimet kanë treguar se varianti afrikanojugor i COVID-19 duket se tregon rezistencë të rritur ndaj vaksinave.
“AstraZeneca” dhe “Oxford” po kërkojnë mënyra për të përditësuar vaksinën e tyre, në mënyrë që të mund të funksionojë kundër mutacioneve të reja që janë shfaqur, shumë prej të cilave duket se përhapen më lehtë dhe mund të jenë më vdekjeprurëse.