Vdekjet në Mbretërinë e Bashkuar u rritën mbi mesataren për herë të parë që nga mesi i muajit qershor, sipas shifrave të reja.
Por Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS) tha se rritja është “e mundshme për shkak të valës së nxehtë”, pasi vdekjet po vazhdojnë të bien shkaku i coronavirusit, raporton BBC.
Kishte 139 vdekje të regjistruara gjatë javës së kaluar, ku në certifikatën e vdekjes si shkaktar ishte përmendur COVID-19, transmeton Telegrafi.
Por në përgjithësi, kishte 10.580 vdekje të regjistruara në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar – 265 më shumë se mesatarja e pesë vjetëve të fundit dhe 370 më shumë se javët e kaluara.
“Rritja e numrit të vdekjeve dhe rritja mbi mesataren pesëvjeçare, ka të ngjarë të jetë për shkak të valës së nxehtësisë; coronavirusi nuk nxiti rritjen”, njoftoi ONS-i.
Ndryshe, gjithsej 57.173 vdekje janë raportuar shkaku i coronavirusit duke përfshirë edhe rastet e dyshuara.