Ministri i Zhvillimit Ekonomik në detyrë, Valdrin Lluka ka qenë i ftuar në një intervistë për lajmi.net.
Ai në këtë intervistë ka folur rreth koalicionit NISMA – AKR – PD dhe gjithashtu fokuset që ka ky koalicion për të ardhmen.
“Tri kauzat që do t’i definoja tash për momentin janë fokusi në rini, kryesisht me edukim, sport dhe kulturë. Fokusi në zhvillim ekonomik që është pika jonë më e fortë dhe fokusi në reforma të shëndetësisë”, tha Lluka për lajmi.net.
Lluka është shprehur se koalicioni funksionon mirë ashtu siç janë pajtuar palët që në fillim duke theksuar se ka aktivitetet disa i zhvillojnë bashkë e disa të tjera ndaras.
Lluka ka folur edhe për largimin nga Aleanca Kosova e Re të dy anëtarëve, Labinot Tahiri dhe Agim Bahtiri që njëherit kanë kaluar në AAK dhe në Vetëvendosje.
Lluka ka thënë se është bërë mirë që janë larguar nga partia, duke treguar edhe për presionet dhe shantazhet që kanë bërë brenda partisë Bahtiri e Tahiri.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në detyrë Lluka ka folur edhe për dështimin e AKR-së në Ministrinë e Jashtme ku Behgjet Pacolli nuk ia ka dalë të sjellë njohje për Kosovën.
Ai është shprehur se Pacolli ka shërbyer si faktor unifikues i aktorëve kryesor në qeveri dhe kjo e ka kufizuar për të operuar në diplomaci.
Lluka ka folur edhe rreth ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re duke treguar se investimi do të ketë kosto dhe se nuk dihet për sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike pas ndërtimit të këtij termocentrali.
Ai ka thënë gjithashtu se shumë projekte ekonomike kanë dështuar për shkak të vakumit politik, siç është sipas tij privatizimi i Telekomit e gjithashtu ka thënë se ka dështuar nisja e privatizimit të një pjese të menaxhimit të Trepçës.
Lluka ka folur gjithashtu edhe për funksionimin e ndërmarrjeve publike, për privatizimin e zhvillimin ekonomik dhe për dështimin të Telekomi të kthehet në profit.