Ish-bashkëlojtari i Valon Berishës tek Salzburgu, Stefan Lainer e ka lavdëruar futbollistin kosovar, për të cilin thotë se e ka bërë më të fortë Fortuna Dusseldorfin që kur u transferua tek klubi gjerman.
Valon Berisha i ka dhënë frymë të re Fortuna Dusseldorfit, shkruan Gazeta Express.
Futbollisti kosovar u largua nga Lazio gjatë janarit për t’u huazua në klubin gjerman.
Përfaqësuesi kosovar synon ta ndihmojë Fortunën të shpëtojë nga rënia prej Bundesligës.
Këtë fundjavë, futbollisti i rritur në Norvegji do të përballet me ish-bashkëlojtarin e tij tek Red Bull Salzburgu, Stefan Lainer.
Ky i fundit e ka lavdëruar Berishën, për të cilin thotë se e ka bërë më të fuqishme Fortunën, që prej transferimit të tij në fund të muajit të kaluar.
“Valoni është një mik i imi i mirë. Është një top transfer për Fortunën. Një super-djalosh të cilin çdo klub do të donte ta kishte në gjirin e tij. Këtë nuk po e them vetëm unë pasi ashtu është. Ai e bën Fortunën më të fortë, i vë edhe bashkëlojtarët në veprim”, ka thënë 27 vjeçari për tabloidin gjerman “Bild”.
Berisha mungoi në ndeshjen e Kupën e Gjermanisë për shkak të një tërheqjeje muskulore, ndërsa në Bundesligë po luan mjaft mirë.