Valon Berisha rikthehet titullar, komenton humbjen e Lazios në Europa League

Prishtinë | 20 Sht 2019 | 17:11 | Nga Ekonomia Online

Valon Berisha ka luajtur nga minuta e parë për Lazion në humbjen nga Cluj në Europa League. Mesfushori kosovar beson se “Biancocelesti” do të këndellen dhe se do ta kenë një sezon pozitiv

Valon Berisha e ka komentuar humbjen e Lazios nga Cluj në Europa League me rezultat 1:2.

Mesfushori kosovar luajti nga minuta e parë dhe u zëvendësua nga Danilo Cataldi në atë të 67-të në ndeshjen e mbrëmshme.

“Kjo ishte një ndeshje e rëndësishme për ne. Në pjesën e parë luajtëm mirë dhe shkuam përpara, ndërsa më pas e pësuam një gol nga një penallti e dyshimtë. Në pjesën e dytë në hasëm në vështirësi për shkak të atmosferës në stadium”, deklaroi Berisha për “Lazio Style Channel”.

“Ne e dimë se çka ndodhi në pjesën e dytë. Por, kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u luajtur në tentim për ta kaluar grupin. Në ndeshjen kundër Parmës të dielën do të jetë e rëndësishme të fitojmë sepse më pas do të luajmë kundër Interit në udhëtim. Ne duhet t’i rifitojmë energjitë e duhura për t’u përballur me Rennes në xhiron e dytë të Europa Leagues”, përfundoi Berisha, i cili shpreson të ketë sa më shumë hapësira këtë sezon në ekipin e Simone Inzaghit.

Berisha u rikthye gjatë gushtit nga lëndimi që e kishte lënë jashtë fushave të blerta për një kohë të gjatë.

Ai i zhvilloi disa ndeshje kontrolluese me Lazion, ndërsa më pas shkëlqeu në Përfaqësuesen e Kosovës, duke dhuruar asistim në duel me Republikën Çeke dhe duke shënuar dy gola ndaj Anglisë, në ndeshjet e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme