Kandidati për kryetar të Fushë Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Prebreza, zhvilloi një tubim në Fshatin Lismir, ku prezantoi një seri projektesh zhvillimore që synojnë përmirësimin e jetës së banorëve.
Prebreza i informoi banorët për finalizimin e projektit për sjelljen e ujit të pijshëm brenda një kohe të shkurtër, duke i dhënë fund varësisë nga burimet e papërshtatshme. Ai foli gjithashtu për nevojën për përmirësimin e transportit dhe lidhjen më të mirë me fshatrat përreth, me synim rritjen e aksesit dhe lëvizshmërisë së banorëve.
Një tjetër premtim i rëndësishëm është renovimi i shkollës së fshatit, me standarde të reja që do të sigurojnë kushte më të mira për nxënësit dhe stafin mësimor.
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore ishte gjithashtu në fokus, me premtimin për shtrimin e rrugëve më të gjera dhe ndërtimin e trotuareve për këmbësorët, që do të rrisin sigurinë dhe komoditetin në lëvizje.
Në kuadër të një ambienti më të gjelbër dhe të këndshëm për jetesë, Prebreza njoftoi planin për rregullimin e hapësirave publike përmes mbjelljes së pemëve dhe gjelbërimit të fshatit, duke i dhënë një pamje më të freskët dhe ekologjikisht më të qëndrueshme Lismirit.

