Në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, është regjistruar temperatura rekorde prej 49,9 gradësh. Autoritetet kanë paralajmëruar për mungesë të ujit në qytetin me mbi 30 milionë banorë.
Departamenti i Meteorologjisë, që raportoi për “kushte të ashpra të valës së vapës”, i regjistroi këto temperature të martën në dy stacione periferike të kryeqytetit, në Narela dhe Mungeshpur. Byroja e motit tha se temperaturat ishin për 9 gradë më të larta se që priteshin, raporton gazeta “The Guardian”.
Autoritetet paralajmëruan për ndikimin e vapës ndaj shëndetit, sidomos ndaj foshnjave, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike.
Parashikuesit e motit parashikuan temperatura të ngjashme edhe për të mërkurën në kryeqytetin e Indisë, duke lëshuar paralajmërim të kuq që njerëzit të kenë kujdes.
New Delhi është ballafaquar me temperatura të larta edhe në të kaluarën. Në maj të vitit 2022, në disa pjesë të qytetit temperatura kishte arritur në 49,2 gradë.