Reperi i njohur Eminem është marrë në pyetje nga Shërbimi Sekret amerikan, për shkak të disa vargjeve të tij të dhunshme, që kanë lidhje me vajzën e presidentit Donald Trump, Ivanka Trump. Ai publikoi në 2017-ën një këngë të titulluar “Framed” , ku ndër të tjera shprehet: “Si dreqin Ivanka Trump ndodhet në bagazhin e makinës sime?” Ai më pas e quan atë një “bjonde e vogël budallaqe” dhe thotë se atë e hodhën në një pellg.
“Mirror” shkruan se agjentët e vizituan reperin dhe e intervistuan në janar të vitit 2018, por ndaj tij nuk u mor asnjë veprim tjetër. Kjo nuk ishte hera e parë që Eminem përdori gjuhë kërcënuese kundër presidentit dhe familjes së tij.
Më herët, në një intervistë, Eminem thoshte se Trump “e bën gjakun tim të ziejë”. Për dy ditë agjentët analizuan vargjet me Eminem në shtëpinë e tij. Por dy ditë më vonë çështja u mbyll. Nëse do të bëhej fjalë për ndonjë këngëtar anonim, ato vargje mund të kishin pasoja për të, por Eminem është një ndër njerëzit më të njohur jo vetëm në Amerikë, por në gjithë botën. Ndaj në këtë rast, edhe nëse do të donin të merrnin ndonjë masë, autoritetet amerikane do ta kishin të vështirë përballë tij, pasi reagimi do të ishte i menjëhershëm