Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohet sot me deputeten e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, në orën 10:30.
Vuçiq gjithashtu sot pritet të takohet edhe me Komisionerin Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi në orën 18:30, përcjell Klankosova.tv.
Sipas portalit European Western Balkans, disa nga temat e bisedës do të jenë procesi i integrimit evropian të Serbisë, harmonizimi i Serbisë me masat kufizuese ndaj Rusisë, çështjet energjetike dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Von Cramon, që është anëtare e të Gjelbërve Evropianë dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, e vizitoi Beogradin për herë të fundit në tetor të vitit të kaluar, kur mori pjesë në Forumin e Sigurisë, transmeton Klankosova.tv.
Ajo është gjithashtu anëtare e delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitetin e Stabilizim-Asociimit BE-Serbi.
Ky do të jetë takimi i parë zyrtar Von Cramon-Vuçiq. Eurodeputetja ishte shpesh kritike ndaj situatës në Serbi, veçanërisht në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, dhe ishte gjithashtu objektiv i sulmeve nga zyrtarë të lartë shtetërorë dhe tabloidë proqeveritarë, transmeton Klankosova.tv.
Ajo akuzohej nga Beogradi edhe si lobiste e madhe e Kosovës së pavarur.
Por çka kishte thënë politikanja gjermane për Serbinë dhe Vuçiqin, mësojeni në intervistën dhënë për Klan Kosova në qershor të vitit 2021.