Prezenca e variantit të ri të coronavirusit Delta Plus po shihet me shqetësim nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe më shqetësuese interesimi i ulët për vaksinim.
Në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, ashtu si në çdo qendër tjetër të vaksinimit, interesimi i qytetarëve për të marrë vaksinën anti-COVID në këtë periudhë është shumë i ulët.
Disa nga qytetarët e paktë, që po prisnin për të marrë vaksinën në qendrën në “1 Tetori” i kanë thënë RTV Dukagjinit, se nëe do t’u kërkohet do ta marrin edhe dozën e tretë të vaksinës.
“Natyrisht që do ta merrja. Kur i merr dy edhe të tretën duhet me marrë. Nuk ka asnjë arsye për të refuzuar diçka që krejt bota e bën”, tha qytetari Haki Mulliqi, transmeton Telegrafi.
Njësoj shprehet edhe qytetari tjetër Ali Demiri.
Për shkak të prezencës së variantit Delta Plus të coronavirusit, Ministria e Shëndetësisë po e sheh me shqetësim interesimin e ulët nga qytetarët për tu vaksinuar.
“Për këtë qëllim, që janë të gjithë mundësitë, pa termine me ekipe mobile dhe kudo në Kosovë, që të vaksinohen shpejt e sigurtë, që ta bëjnë këtë menjëherë”, thotë Ministria e Shëndetësisë.
Kjo ministri bën të ditur se në stok janë 300 mijë vaksina dhe se janë në proces të kontraktimit edhe të vaksinave të tjera.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar se të premten, më 12 nëntor, janë regjistruar 16 raste me coronavirus, pas testimit të 1.351 mostrave.
Në 24 orët e fundit është regjistruar një viktimë.
Autoritetet shëndetësore kanë thënë se më 12 nëntor, 17 persona janë shëruar derisa 427 persona janë ende aktivë në coronavirus.
Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka regjistruar mbi 160,000 raste të infektimit.
Prej tyre 2.980 persona kanë vdekur.
Ministria e Shëndetësisë ka nisur procesin e imunizimit kundër coronavirusit në mars të këtij viti.
Deri më 12 nëntor, 747,723 persona janë vaksinuar plotësisht kundër këtij virusi derisa 844,163 persona kanë marrë dozën e parë.
Kjo i bie që deri më 12 nëntor është vaksinuar plotësisht 41.5 për qind e popullsisë së përgjithshme.