Atdhetari Haradin Muja është varrosur me nderime, të shtunën në varrezat e qytetit në Arbëri.
Muja ishte veprimtar që dha kontribut për lirinë, që nga demonstratat e vitit 1968 e deri në çlirimin e vendit.
Ai ishte babai i dëshmorit Agim Muja dhe ish-deputetit Shaip Muja.
Xhevat Bislimi, i cili foli në emër të familjes, u shpreh se Haradin Muja ishte një atdhetar i madh, i cili vdiq i lumtur pasi përjetoi lirinë për të cilën dha shumë, edhe djalin Agim Muja.
“Shtëpia e Haradinit kishte pritur shumë veprimtarë të luftës çlirimtare të UÇK së. Për kontributin kombëtar të bacës Haradin mund të flasim gjatë, por në një fjalë lamtumirëse si kjo mund të themi se ai shkoi si atdhetar që arriti lirinë dhe çlirimin e vendit, si prind e familjar i lumtur që arriti të shohë dhe të përjetojë të realizuara idealet për të cilat u angazhua me tërë qenien e tij”.
“Jemi krenarë që e njohëm nga fjala, puna dhe qëndrimi i tij burrëror. Ai kishte një djalë dëshmor që ishte Agim Muja”, tha ai.
Në varrim morën pjesë një numër i madh i qytetarëve si dhe miq e bashkëpunëtorë të familjes.