I është dhënë lamtumira e fundit “Heroit të Kosovës” Afrim Bunjaku. Ai është varrosur me ceremoni shtetërore në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, raporton EO.
Ceremonia e varrimit të Bunjakut ka filluar nga ora 16:00, ndërsa ritet fetare janë kryer nga myftiu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.
Në varrimin e policit të ndjerë kanë marrë pjesë shumë qytetarë e figura politike. Aty janë parë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Përkrah krerëve shtetëror, kanë marrë pjesë edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier dhe shefi i BE-së, Tomas Szunyog..
Bunjaku sot është shpallur “Hero i Kosovës” nga presidentja Vjosa Osmani, e cila në ceremoninë e varrimit e ka quajtur atë “frymëzim për brezat e ardhshëm se si duhet të mbrohet atdheu”.
Osmani: Bunjaku, frymëzim për brezat e ardhshëm se si mbrohet atdheu
Presidentja Vjosa Osmani, në ceremoninë e varrimit të policit Afrim Bunjaku, ka thënë se ai nuk ishte vetëm mbrojtës i Republikës sonë, por edhe simbol i guximit.
Osmani ka thënë se sakrificia e Bunjakut nuk do të harrohet kurrë e se trashëgimia e tij do të jetë frymëzim për brezat e ardhshëm, raporton EO.
“Është detyrë e jona që ta nderojmë sakrificën e Afrimit. Ai nuk ishte vetëm mbrojtës i Republikës por edhe simbol i guximit. Sakrifica e juaj nuk do të harrohet kurrë teksa trashëgimia juaj qoftë frymëzim për brezat e ardhshëm se si duhet të mbrohet atdheu”, tha Osmani.
Kurti në varrimin e policit të vrarë: Afër Afrimi, larg krimi
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se polici Afrim Bunjaku duhet të skalitet në kujtesën e të gjithëve si fytyra e një heroi dhe si vepra e një dëshmori, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka thënë se kolegët e tij janë ata që i u ndriçuan rrethanat e aktit kriminal dhe terrorist.
“Afrim Bunjaku u qëllua dhe u vra teksa po kryente detyrën bashkë me kolegët e tij që morën plagë. Në orët që pasuan gjatë ditës nën dritën e diellit u ndriçuan rrethanat dhe kryesit e këtij akti kriminal dhe terrorist”.
“U ndriçuan nga kolegët e Afrimit, pjesëtar të Policisë së Kosovës që me profesionalizmin më të lartë reaguan. Ata e kryen detyrën e tyre, e nderuan Afrimin, na nderuan të gjithë neve dhe Republikën e Kosovës. Zbatonin ligjin dhe mbronin territorin, mbanin rendin dhe ruanin qytetarët, për paqe dhe siguri për të gjithë dhe secilin.
“Portreti dhe profili i Afrimit le të skaliten në kujtesën tonë fotografike dhe në vëmendjen tonë kolektive si fytyra e një heroi dhe si vepra e një dëshmori. Afër Afrim, larg krimi”, tha ai.
Konjufca: Afrim Bunjaku ra sikurse parardhësit e tij, duke e mbrojtur Kosovën
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, tha se dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës si dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmor e u bë hero i Kosovës.
Konjufca ka thënë se Bunjaku ka rënë heroikisht ashtu sikurse parardhësit e tij, Osman e Shaban Bunjaku, raporton EO.
Ai u shpreh se Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës në mbrojtje të lirisë e pavarësisë.
“Jemi mbledhur këtu në Samadrexhën e rezistencës, në Samadrexhën e Osman e Shaban Bunjakut, të cilët me pushkë në dorë luftuan kundër pushtetit jugosllav, e jemi mbledhur këtu për t’i dhënë lamtumirën stërnipit të tyre Afrim Bunjakut i cili ra heroikisht në ditën e djeshme pikërisht sikur paraardhësit e tij duke mbrojtur Kosovën, shtetin tonë, atdheun tonë të dashur, nga terroristët që hynë nga Serbia”.
“Dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës sikur dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmorë e u bë hero i Kosovës, për ta ngritur shtetin tonë. Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës sonë”, u shpreh ai.