Varroset me nderime inxhinieri dhe intelektuali prizrenas, Galip Hoda

Prizren | 07 Dhj 2022 | 16:04 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është varrosur me nderime nga qytetarët prizrenas intelektuali dhe inxhinieri i hidroteknikës, Galip Hoda, i cili dje u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare.

Inxhinieri i shquar prizrenas, gjatë veprimtarisë së tij profesionale ishte pjesëmarrës i shumë projekteve të rëndësishme në Kosovë, sikurse projekti i Liqenit të Radoniqit, projekti i Hidrocentralit të Fierzës dhe projekte të tjera.

Galip Hoda ka qenë drejtor i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, ndërsa një periudhë ka qenë edhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje publike.

Hoda ishte edhe aktivist në sport. Ai shërbeu si sekretar gjeneral dhe anëtar i Klubit Futbollistik “Liria”.

Në një telegram ngushëllimi, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shkruar se z. Hoda do t’i mungojë qytetit, prizrenasve dhe familjes.

“Emri dhe angazhimet e tij publike do të jetojnë gjatë në kujtesën tonë. Në emrin tim dhe të Komunës së Prizrenit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit dhe të afërmit e miqtë e tij”, ka shkruar Totaj.

Edhe, Abdullah Dërguti, drejtor Ekzekutiv i SHUKOS, ka ngushëlluar familjen Hoda.

“Në emër të stafit dhe Bordit të SHUKOS, pranoni ngushëllimet më të thella me rastin e ndarjes nga jeta të familjarit tuaj, ish-drejtorit e ish-anëtarit të Bordit të KRU ‘Hidroregjioni Jugor’, inxhinierit të mirënjohur prizrenas, Galip Hoda”.

“Kontributi i kolegut tonë Galip Hoda në sektorin e Ujërave në Kosovë është dalluar gjatë këtyre pesë dekadave. z.Hoda do të mbetet në kujtesën tonë si një inxhinier me etikë të lartë të punës dhe kontribut të madh në idejimin dhe realizimin e projekteve madhore të ujërave në rajonin e Prizrenit dhe më gjerë”, theksohet në telegramin e ngushëllimit.

Pas ceremonisë fetare në Xhaminë e Terzi Mahallës, varrimi është bërë në Varrezat e Qytetit të Prizrenit.

Të ngjashme