Festivali i cili ishte themeluar për nder të 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të famshëm botëror Frederick Chopin vazhdon traditën edhe këtë vit. “Chopin Piano Fest”, në edicionin e tij të 9-të, do të mbledhë pianistë të shquar vendorë dhe ndërkombëtarë për të performuar vepra jo vetëm të Chopinit, por edhe të kompozitorëve të njohur botërorë.
Programi për vitin 2018 përfshin muzikantë nga Kosova, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Gjermania, Zvicra, Italia dhe Portugalia.
Festivali do të hapet sonte me koncertin e pianistit të ri, por të talentuar nga Portugalia, Vasco Dantas Rocha. “Chopin…” që shtrihet deri më 24 të këtij muaji do të sjellë edhe emra të njohur si pianisti francez Jerome Granjon, Vitaliy Pisarenko nga Ukraina dhe pianisti i njohur italian, Giovanni Bellucci.
Përveç recitaleve në piano dhe koncerteve që ndryshe njihen si “Piano duo”, edhe këtë vit një natë do t’i kushtohet muzikës kamertale. Kjo do të sjellë sopranon Jeta Çitaku dhe Adelina Palojën, e po ashtu edhe tenorin Liridon Sadriu si mysafirë. Ata do të përcillen nga Liria Pula në piano.