Deputetja e Kosovës, Vasfije Krasniqi Goodman, e cila është e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, në Ditën e e të mbijetuarve të dhunës seksuale ka ritheksuar zotimin e saj për të marrë drejtësinë.
“Bota ka për të dëgjuar atë që ka ndodhur me djemtë e vajzat, me burrat dhe gratë gjatë viteve 1998-99 dhe një gjë është e sigurt se Serbia do të mbahet përgjegjëse për krimet që ka kryer! Është 14 prilli që ka përcaktuar fatin tim, e unë kurrë nuk do të harroj zotimin tim për drejtësi”, ka shkruar Krasniqi Goodman.
Organizatat e Platformës “Bëhu Zëri Im” udhëhequr nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës sot kanë kërkuar të njihet ligjërisht 14 prilli si ditë zyrtare memoriale për viktimat e dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë.
Derisa kryeministri Albin Kurti priti në takim Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në këtë takim u shpreh shqetësimi që stigma është kthyer në sfidë të procesit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, një e drejtë e garantuar me ligj.