Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” po ndjek me shumë shqetësim situatën e fundit në Shqipëri si rezultat i vendosjes së taksës së kalimit në Rrugën e Kombit dhe rritjes së taksave në tërësi.
Federata Vatra, përmes një komunikate njofton se është në mbështetje të plotë të banorëve të Kukësit, si një nga zonat më të varfra dhe të lëna pas dore nga Qeveria.
Federata Vatra i bën thirrje Qeverisë që trupën policore mos ta përdorë kundër kuksianëve të vuajtur dhe të ndershëm, por kundër kriminelëve dhe mafiozëve që kanë zaptuar institucionet e shtetit shqiptar.
“Anulimi i menjëhershëm (dhe jo pezullimi) i kësaj takse, rishikimi i sistemit të taksimit në tërësi, ulja në bisedime me qytetarët (dhe jo biseda tip show në ekrane televizive) dhe ndërmarrja e projekteve konkrete për rimëkëmbjen ekonomike të Kukësit dhe vendit në tërësi, si dhe ndërprerja e çdo presioni policor mbi popullatën, janë rruga e vetme për të dalë nga kriza”, thuhet në reagimin e Vatrës.