Organizata shqiptaro-amerikane VATRA u bëri thirrje palëve politike në Shqipëri që të ulen në bisedime t’i ofrojnë popullit një zgjidhje afatgjatë, që të mund të sigurojë jo vetëm standardet demokratike të vendit, por edhe një paqe dhe unifikim shoqëror
Me anë të një deklarate, Federata Panshqiptare e Amerikës shpreh shqetësimin për situatën në Shqipëri të cilën e cilëson si të paprecedentë dhe thotë se është thellësisht e dhimbshme, që edhe pas afro tre dekadash pluralizëm, evidentohen probleme të thella lidhur me proceset zgjedhore, ndërhyrja në të cilët është tërësisht e dënueshme.
“Konflikti civil, i cili po hedh shtat dita-ditës nuk duhet lejuar dhe qeveria ka përgjegjësinë kryesore të gjejë rrugët për shuarjen e tij. Ashpërsimi i mosmarrëveshjeve politike shoqërohet fatkeqësisht me ndasi të mëdha shoqërore, gjë e cila dëmton objektivat evropiane të vendit”, thuhet në deklaratë.
Vatra nxit palët të ulen në tryezën e bisedimeve, duke shpresuar që platforma e bisedimeve do të jetë serioze dhe jo thjesht kalimtare dhe njëkohësisht shpreh keqardhjen për humbjen e kohës, nga e cila sipas saj, humbet Shqipëria dhe populli.