Vavalis dhe Krasniqi: Fushë-Kosova kundërshtar i vështirë, por synojmë vetëm fitoren

| 15 Sht 2023 | 15:39 | Nga

Drita do të luajë në udhëtim ndaj Fushë-Kosovës nesër (e shtunë), në kuadër të javës në Superligën e Kosovës.

Në prag të kësaj ndeshje, sot në konferencën për media të gjilanasve u paraqiten Akis Vavalis dhe Besnik Krasniqi, shkruan Gazeta Express.

Trajneri Vavalis tha se kanë shfrytëzuar pauzën prej dy javësh që të përmirësojnë shumë gjëra.

Ai tha se “Intelektualët” i pret një ndeshje e vështirë nesër, por se shpreson të marrin pikët e plota.

“Ne kishim dy javë dhe kishim shumë gjëra për të ndryshuar dhe përmirësuar. Nesër kemi një ndeshje të vështirë pasi KF Fushë Kosova ka një ekip shumë të mirë. Ne kemi analizuar ndeshjet e tyre dhe kemi parë si i kanë humbur ndeshjet. Ne do të luftojmë për 90 minuta dhe shpresoj të marrim tri pikët”, ka thënë Vavalis.

Ndërkaq, Besnik Krasniqi tha se ai dhe shokët e tij të skuadrës janë të përgatitur dhe të gatshëm për të regjistruar fitore.

“Jemi stërvitur për dy javë dhe tani po i kthehemi fushës. Sa i përket Fushë Kosovës, ata kanë një ekip shumë të mirë. Mirëpom jemi të gatshëm. Sigurisht që atje po shkojmë për fitore”, u shpreh Krasniqi.

Ndryshe, ndeshja mes Fushë Kosovës dhe Dritës do të zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit, me fillim prej orës 15:00.

Drita, që ka zhvilluar tri ndeshje këtë sezon, është e pesta në tabelë me pesë pikë të grumbulluara – me bilanc prej dy barazimeve dhe një fitoreje.

Fushë Kosova, që gjithashtu ka zhvilluar tri ndeshje në elitë, është e fundit dhe ende pa pikë.

Të ngjashme