Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në KEK, ka mbajtur protestë paqësore kundër vazhdimit të tenderimit “të paligjshëm” të këtij Departamenti, pagat e ulëta dhe kushtet e rënda për punonjësit e sigurimit fizik në KEK, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, tha se kërkesa e tyre është që vendimi për tenderim të shfuqizohet.
“Sot jemi këtu edhe njëherë t’u tregojmë Korporatës Energjetike të Kosoves se ky departament (Sigurimi Fizik) nuk është privatizuar, por është huazuar dhe sot e 20 vite tenderohet në mënyre të paligjshme. Edhe sot është duke u tenderuar në mënyrë të paligjshme”.
“Kohëve të fundit kemi edhe një raport të Auditorit të Brendshëm, i cili tregon që nuk është në përputhje me kontratën, prandaj ne po dyshojmë se këtu ka hile dhe ka korrupsion… I bëjmë thirrje menaxhmentit të KEK-ut që ky departament i huazuar t’i kthehet në KEK-ut aty ku e ka vendin”, tha Llumnica.