Është nënshkruar vazhdimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të bukura në Pragë – FAMU, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qendra Kinematografike të Kosovës, për të bashkëpunuar në ofrimin e mundësisë së edukimit audio-vizual për qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti për studentët e kësaj fushe.
Ky vazhdim i marrëveshjes u nënshkrua nga drejtori i QKK-së z. Arben Zharku dhe nga prodekani i FAMU-së z. Ondrėj Zach. Drejtori i QKK-së z. Zharku rreth vazhdimit të këtj Memorandumi u shpreh: “Jemi të gëzuar që po e vazhdojmë këtë mundësi të madhe për brezat e ri që ëndërrojnë të studiojnë filmin në një prej shkollave më të çmueshme në botë. E falenderojmë Ministrinë e Kulturës që ka vazhdon ta mbështes këtë marrëveshje dhe FAMU’-në për këtë mundësi.”
Bursa e plotë që ndahet nga Ministria e Kulturës ju jep mundësi të studioni në programin Bachelor (në rast se e flisni gjuhën çeke) dhe në programin Master në këto drejtime: regji, skenar dhe kamerë (drejtor fotografie) etj.
Akademia e Arteve të Bukura FAMU në Pragë është themeluar në vitin 1947 duke qenë kështu një ndër shkollat më të vjetra në botë, dhe sipas gazetës Hollywood Reporter është shkolla numër një në Evropë dhe e njëmbëdhjeta në botë. Të diplomuar nga kjo shkollë janë shumë regjisor dhe skenarist të njohur ndërkombëtarisht si fitues të çmimeve Oskar ose laureat të festivaleve ndërkombëtare të filmit.
Deri më tani 4 studentë kosovar: Norika Sefa, Dritëro Mehmetaj, Noar Sahiti, dhe Enis Saraçi kanë gëzuar këtë bursë.