Vazhdojnë arrestimet lidhur me sulmin terrorist në Londër

Prishtinë | 05 Qer 2017 | 14:26 | Nga

Policia e Londrës është duke i zgjeruar operacionet pas sulmit terrorist që ndodhi në Londër dy netë më parë.

Policia sot ka njoftuar se mëngjesin e sotëm janë kryer bastisje në dy adresa në Newham dhe Barking në lindje të qytetit dhe se janë bërë “disa arrestime”. Siç bëhet e ditur, ende janë duke vazhduar kërkimet në shtëpitë ku janë kryer bastisjet.

Policia po ashtu ka njoftuar edhe për lirimin e njërit nga 12 personat e arrestuar gjatë bastisjeve ditën e djeshme në katër adresa në Barking. Ndërkaq, shtatë femrat dhe katër meshkujt të arrestuar dje ende janë në arrest.

Thuhet se pjesa më e madhe e arrestimeve janë bërë në shtëpinë që pretendohet se i përket njerit prej agresorëve të sulmit.

Ndërkohë, policia britanike ka njoftuar se është bërë i ditur identiteti i agresorëve, porse nuk do ta zbulojnë për shkak të mbarëvajtjes së procesit hetimor. Pritet që gjatë ditës të bëhet i ditur identiteti i agresorëve.

Nga ana tjetër, kryeministrja britanike Theresa May është duke zhvilluar mbledhje emergjente të kabinetit (COBRA) me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe inteligjencës. Pas mbledhjes, pritet që May të dalë me deklarata lidhur me politikën për luftën kundër terrorit në vend.

Ndryshe, sulmi ndodhi të shtunën vonë, më 3 qershor, kur sulmuesit me furgon kanë përplasur këmbësorët në Urën e Londrës, dhe duke dalur nga furgoni me thika kanë sulmuar njerëzit në tregun Borough, ku policia vrau që të tre sulmuesit.

Përveç tre sulmuesve, jetën e kanë humbur edhe shtatë persona të tjerë, ndërsa 48 janë plagosur.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme