Avionët luftarakë kanë bombarduar në Goutan Lindore – enklavën e fundit të rebelëve, që gjendet në afërsi të kryeqytetit sirian, Damask– për të pestën ditë me radhë, përderisa Kombet e Bashkuara, kanë bërë thirrje për ndalimin e sulmeve ajrore.
Më shumë se 300 predha kanë goditur Goutan Lindore, duke vrarë 13 persona dhe plagosur mbi 100, ka njoftuar sot Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Londër.
Që prej 18 shkurtit, mbi 300 persona janë vrarë në Goutan Lindore, ndërkaq qindra të tjerë janë plagosur. Grupi monitorues, por edhe agjencitë e ndihmës kanë thënë se avionët rusë dhe sirianë kanë goditur spitalet dhe objektiva të tjerë civilë.
Sulmet vijnë pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm “të të gjitha aktiviteteve të luftës” në këtë zonë, dhe sipas tij, situata në Gouta Lindore është “ferr në tokë”.
Ndërkaq, kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, të rrisë trysninë mbi Rusinë dhe Iranin, që t’i jepet fund dhunës në Siri.
“Regjimi nuk po lufton kundër terroristëve, por kundër njerëzve të tij, duke vrarë fëmijë, duke shkatërruar spitale, dhe kjo është masakër e cila duhet të dënohet”, ka thënë Merkel gjatë një fjalimi në Parlament.