Shërbyesit civilë, mësimdhënësit e shkollave fillore, të mesme dhe profesorët e universiteteve edhe sot do të vazhdojnë grevën.
Greva në arsim sot hyn në ditën e 13-të, përderisa SBASHK-u ka përsëritur se nuk lëkunden deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Kurse, në mbledhjen e jashtëzakonshme te dy kryesive qendrore të Sindikatave të Shërbimit Civil të Kosovës është bërë e ditur se greva e shërbyesve civilë do të vazhdojë edhe sot nga ora 10:00 deri në 11:00.
Rreth 22 mijë nëpunës civilë kanë hyrë në grevë, duke kërkuar nga institucionet që të merren me kërkesat e tyre. Sipas sindikalistëve, nëse nuk ka reflektim institucional nuk përjashtohet mundësia e ashpërsimit të masave apo grevës së përgjithshme.
Pak ditë më parë edhe Sindikata e Pavarur e Pylltarisë, Bujqësisë, Industrisë së Drurit, Mjedisit dhe Gjuetisë së Kosovës, i është bashkuar grevës së shërbyesve civilë.