Kërkimet për Florian Tabakun, 26-vjeçarin i raportuar i zhdukur më 21 tetor 2025, po vazhdojnë edhe sot në afërsi të pikës kufitare “Qafë Morinë”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë së Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se në operacion janë angazhuar njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) si dhe shoqata për kërkim-shpëtim.
“Më datë 21 tetor 2025, në Stacionin Policor në Gjakovë është raportuar nga familjarët për një person të zhdukur. Personi i zhdukur është parë për herë të fundit në afërsi të pikës kufitare “Qafë Morinë”. Menjëherë pas raportimit, të gjitha njësitë relevante policore janë angazhuar në operacionet e kërkimit në atë territor, duke përfshirë njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe shoqatën për kërkim-shpëtim. Kërkimet për gjetjen e personit të zhdukur janë duke vazhduar edhe sot”, tha Krasniqi.