“Jelekët e verdhë” në Francë, në javën e 33-të të protestave kanë dalë përsëri në rrugë për të protestuar kundër politikave të qeverisë së presidentit Emmanuel Macron, transmeton Anadolu Agency (AA).
Protestat e “jelekëve të verdhë” kanë vazhduar edhe këtë javë pavarësisht nga nxehtësia ekstreme. Në Paris, protestuesit marshuan nga lagjja Clichy deri në sheshin Porte de Pantin. Gjatë protestës ka patur reagime ndaj dhunës së policisë kundër protestuesve.
Në protestat e zhvilluara në Lille dhe në Rennes policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës ndaj protestuesve. Bëhet e ditur se në Reims janë arrestuar 18 persona, në Rennes 3 dhe në Lille 5 të tjerë.
Sipas Ministrisë së Brendshme në protestat në të gjithë vendin kanë marrë pjesë 5.769 persona, ndërsa sipas “jelekëve të verdhë” 10.224 persona. Ka tërhequr vëmendjen se kjo protestë është regjistruar si protesta me pjesëmarrje më të ulët që nga fillimi i protestave e deri më sot.
Policia si në javët e mëparshme edhe kësaj radhe ka ndaluar zhvillimin e protestave në bulevardin Champs-Elysees, në Asamblenë Kombëtare dhe rreth katedrales së Notre Dame, e cila ka pësuar dëme të mëdha në zjarrin që ndodhi më 15 prill.
Protestat e “jelekëve të verdhë”, të cilat filluan si reagim kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe kushteve të këqija ekonomike, por më vonë të njëjtat u shndërruan në protesta kundër qeverisë së presidentit Macron dhe vazhdojnë që nga 17 nëntori 2018.
Deri më tani në protesta kanë humbur jetën 11 persona, janë plagosur 4.245 persona nga të cilët 1.797 prej tyre policë si dhe janë arrestuar 12.107 persona.