Vazhdojnë protestat e Shaljanëve, i pengojnë minatorët të shkojnë në punë

Prishtinë | 14 Shk 2020 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i KO-së, Arsim Musa, ka ripërsëritur se protestuesit kanë dalë për ta bllokuar rrugën komplet për të mos i lënë punëtorët të shkojnë në punë. Protestuesit kërkojnë t’u drejtohen kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik Rozeta Hajdari, por asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur në kërkesën e protestuesve. A ka gisht kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, në protestat e Shaljanëve?

Protestat e Shaljanëve kanë vazhduar edhe të enjten në shenjë pakënaqësie për punësimin e fundit të një numri të punëtorëve në “Trepçë”. Rreth 150 Shaljanë, kryesisht kandidatë, të cilët nuk kanë arritur të punësohen, kanë bllokuar para orës 7:00, të enjten, rrugën Mitrovicë – Stan Tërg dhe nuk kanë lejuar të lëvizin automjetet në atë pjesë. Në këtë mënyrë një numër i madh i minatorëve nuk kanë mund të shkojnë në punë. Protestën gjatë gjithë kohës e kanë përcjellë forca të mëdha policore, duke përfshirë edhe komandantin e Stacionit të Policisë në jug, Ahmet Xhosha. Protestuesit pas një kohe kanë lejuar të kalojnë veturat, por jo edhe autobusët me punëtorë. Protestuesit ishin jashtëzakonisht të pezmatuar në punëtorët që po shkonin në punë, për shkak se, siç ka thënë kryetari i Këshillit Organizativ të Protestës, Arsim Musa, ata nuk e kanë mbështetur protestën. Musa ka thënë se qëllimi i protestës ka qenë që të bllokohet rruga dhe të mos lejohet të shkojë në punë asnjëri nga punëtorët e Stan Tërgut.

Tri kërkesat e Shaljanëve

Kërkesa e tyre vazhdon të jetë anulimi i konkursit, si dhe shkarkimi i menaxhmentit dhe i Bordit të “Trepçës”. Protestuesit kanë kërkuar që t’u drejtohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti, si dhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik Rozeta Hajdari, por ata nuk janë deklaruar nëse do të paraqitën para protestuesve. “Ne jemi duke protestuar vazhdimisht, kemi kërkesat tona, që duhet të plotësohen, kemi dashur ta bllokojmë rrugën, që të mos mundë të ketë asnjë lëvizje në atë pjesë, që të mos i lëmë as minatorët të shkojnë në punë, kemi kërkuar nga ata të na përkrahin, por neve po na përkrahin vetëm pjesërisht, prandaj në mënyrë të organizuar nuk do t’i lëmë të shkojnë në punë”, ka thënë kryetari i KOP-it, Arsim Musa. Por rruga është zhbllokuar pas rreth 40 minutave, pasi komandanti i stacionit të policisë “Jugu”, Ahmet Xhosha, ka arritur t’i bindë ata ta lirojnë rrugën. “Gjatë gjithë kohës kemi biseduar me protestuesit, kemi kërkuar mirëkuptim nga ata, profesionalisht jemi qasur dhe u kemi shpjeguar se lirimi i rrugës është obligim ligjor. Në këtë mënyrë edhe ata janë bindur se duhet ta lirojnë rrugën në tërësi, që të ketë qarkullim normal të automjeteve dhe të njerëzve. Më pas protestuesit janë zhvendosur para hyrjes së minierës në Stan Tërg.

Kryetari i Këshillit Organizativ të Protestës, Arsim Musa, ka paralajmëruar radikalizimin e protestës. Ai ka thënë se nëse kërkesat nuk plotësohen, atëherë ka mundësi të ndalet edhe prodhimi në “Trepçë”.

Protesta e Shaljanëve ka hasur në kundërshtim të një numri të madh të banorëve të pjesëve tjera të Mitrovicës, madje ata vlerësojnë se “kumbara” i kësaj proteste është kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, i cili dëshiron të fusë përçarje në mesin e vet banorëve të Shalës së Bajgorës, tani kur është bërë pjesë e partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje. Në momentin kur kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, një ditë para se mbahej protesta kishte dalë me një deklaratë në përkrahje të Shaljanëve, ata nuk kanë hezituar ta gjykojnë Bahtirin se me protestë synon ta përçajë Shalën. Secili në mënyrën e vet dhe me një dozë pezmi, ata patën hedhur “gurë e dru” mbi Agim Bahtirin.

A ka gisht në protestë Agim Bahtiri?

“Unë jam i Koshtovës dhe nuk paskam hise në ‘Trepçë’ a? As ai i Zhabarit, as ai i Vaganicës, as asnjë tjetër, veç Shala. Marre për ty o Agim Bahtiri, fëmijët e mi po u dashka me vdek urie se s’po bajka me hi në punë në ‘Trepçë’. Deri këtu na paska sjellë politika jote qorre”, ka thënë një banor i Koshtovës.

Ndërsa Ardiana Begu u shpreh se qëllimi është të futet përçarje në mes njerëzve. “Shaljanët kundër Shaljanëve, 97 veta nga 120 janë pranu në punë të Shalës, e ky Agim Bahtiri nuk paska mujt me e shti në punë asnjë të Gushavcit, as të Lushtës, as të Zhabarit, as të Kosthovës, as të Kçiqit. Mos bre se marre me këto ndarje, po doni me na shti Shalën me u përla mes veti. Tash po dëshironi me na shti kundër 97 Shaljanëve, që qenkan hy në punë. ‘Trepça’ më së pari është e Kosovës, e të gjithë shqiptarëve, e këtij Agim Bahtirit s’i ka mbetur tjetër veç me i shti Shaljanët mes vete, po edhe të tjerët”, thotë ajo.

I ashpër ndaj kryetarit të Mitrovicës është shprehur edhe Bashkimi nga Zhabari. “Qenkan punësuar në ‘Trepçë’ 97 Shaljanë edhe prapë pak, sepse nuk e kanë pyetur Agim Bahtirin me shokë të vet kë me e shti në punë. Ishalla na kthjell Zoti e nuk na ngatërrojnë mes vete Agimi me shokë, shihe tani Shaljanët kundër 97 Shaljanëve që kanë hy në punë, në vend se me u gëzu për 87 familje. Çfarë politike është e shkaut, vëllai kundër vëllait, këta politikanë Zoti i vraftë që për xhep të vetin kqyrin”, ka thënë mes të tjerash Bashkimi.

Ibrahimi: 80 për qind e të punësuarve janë Shaljanë

Drejtori menaxhues i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, ka thënë se dorëheqjen nuk e sheh si zgjidhje, ndërsa ka konstatuar se anulimi i konkursit nuk është në dorën e tij. “Konkursin mund ta anulojë ndonjë institucion më i lartë, jo unë, natyrisht nëse konstatohen shkelje të konkursit ose të procedurave të konkursit. Jemi të vetëdijshëm qe numri i të papunëve në rajonin e Shalës dhe në Mitrovicë është shumë më i madh në vend. Mundësitë tona si ndërmarrje janë këto. Ne kemi pranuar aq sa kemi pasur mundësi, edhe pse ‘Trepça’ ka nevojë për fuqi punëtore. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me Qeverinë që të nxjerrim një ligj të veçantë për pensionimin e përkohshëm të minatorëve dhe të punëtorëve të ‘Trepçës’, sepse vetë natyra e kërkon një fuqi punëtore më të re, që me dhënë më shumë kontribut në ‘Trepçë”, ka thënë të tjerash Ibrahimi.

Ai ka ripërsëritur se procedura e rekrutimit ka shkuar plotësisht në përputhje me rregullativen, janë seleksionuar ata të cilët komisioni i ka vlerësuar se janë më të mirët dhe që në njëfarë mënyre e kanë merituar të seleksionohen dhe janë shpallur listat publike për t’u pranuar në punë.

“Në asnjë mënyrë nuk është anashkaluar Shala, ashtu siç po deklarojnë Shaljanët, sepse rreth 80 për qind e të pranuarve në punë janë të Shalës së Bajgorës. Nuk mund të veçohen Shala, Drenica ose ndonjë rajon tjetër, por merren për bazë kriteret. Është normale që janë seleksionuar kryesisht Shaljanët, sepse nuk kanë konkurruar prej viseve tjera, pasi që ata nuk e njohin minierën, punën në minierë ose flotacionin, prandaj edhe në mënyrë natyrore pjesa dërrmuese janë Shaljanë dhe të rrethit të Mitrovicës”.

Drejtori menaxhues i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, ka premtuar se do të pranohen edhe punëtorët të tjerë, pasi para pensionimit janë 430 punëtorë, që pritet të pensionohen brenda pesë vjetëve./ZËRI


Të ngjashme