Nxënësit e shkollave të mesme i bashkuan forcat me pensionistët për të protestuar përsëri të shtunën në Hong Kong. Kjo është vetëm njëra nga disa protestat e planifikuara në qytetin e kontrolluar nga Kina.
Pas më shumë se pesë muajve të protestave të vazhdueshme, situata në Hong Kong ka qenë relativisht e qetë prej ditës së zgjedhjeve lokale javën e kaluar. Në këto zgjedhje shënuan fitore bindëse kundërshtarët e Kinës.
Pavarësisht qetësimit të situatës, protestuesit po përpiqen ta mbajnë gjallë momentumin e kryengritjes së tyre. Ata po nxiten të protestojnë nga ajo që po e quajnë ndërhyrje e Kinës në liritë e garantuara me marrëveshjen britaniko-kineze të vitit 1997, me të cilën kontrolli politik i ishte dorëzuar Pekinit.
Në anën tjetër, Kina e ka mohuar ndërhyrjen dhe thotë se është e përkushtuar për ta respektuar formulën “një shtet, dy sisteme”, e cila ishte miratuar para më shumë se dy dekadash. Autoritetet kineze i kanë akuzuar fuqitë e huaja për nxitje të protestave.
“Dola në një protestë paqësore në qershor dhe në të ishin mbi një milion njerëz, por qeveria nuk i dëgjoi kërkesat tona. Kam parë shumë dhunë dhe arrestime të paligjshme nga policia. Ky nuk është Hong Kongu që unë e njoh”, tha një pensioniste 71-vjeçare, e cila u prezantua me emrin Ponn.
Protestat në Hong Kong fillimisht kishin nisur për shkak të një projektligji për ekstradimin e qytetarëve në Kinë. Më vonë, ai projektligj u tërhoq nga qeveria, por protestuesit kanë shtruar kërkesa të tjera, në mesin e të cilave është edhe dorëheqja e kryetares së qytetit, Carrie Lam, shkruan “Reuters”.