Protesta kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u paralajmëruan edhe për sot.
Qysh në orët e para të mëngjesit ka filluar pozicionimi i Policisë së Kosovës dhe KFOR në komunën e Zubin Potokut.
Kjo është dita e tretë e protestave, që u përcollën me tensione e dhunë nga protestuesit serbë.
Misioni i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur se janë rreth 25 të plagosur nga kontingjenti shumëkombësh gjatë ndalimit të demonstruesve protestues që ndodhi në komunën e Zveçanit.
Po ashtu u sulmuan edhe shumë ekipe gazetarësh.
Kryetarët e Zubin Potokut dhe të Zveçanit pas një takimi që dje kishin me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kanë bërë të ditur se në bazë të situatës do të vendosin nëse do paraqiten apo jo në zyret e tyre në komunë.