Zjarret në zonën e Shëngjinit kanë vazhduar edhe ditën e së mërkurës. Për të ndalur përhapjen e flakëve, është ndërhyrë sërish me helikopter, siç shihet në videon e Ekonomia Online.
Për shkak të erës së fortë gjatë mbrëmjes, zjarri është riaktivizuar sërish në disa zona të malit. Banesa, hotele dhe shtëpi banimi u rrezikuan nga zjarret që kanë përfshirë që nga e shtuna një sipërfaqe të madhe të maleve dhe kodrave në Shëngjin të Lezhës në Shqipëri.
Zjarrfikësit dhe njësitet e tjera të emergjencave, arritën që pas pesë ditësh pune në terren, të shuajnë disa vatra të zjarrit.
Ministria shqiptare e Mbrojtjes në një reagim të saj, ka njoftuar se situata e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, por veçanërisht në Shëngjin ka shënuar përmirësim pas punës së pandërprerë të qindra forcave operacionale në terren si dhe ndërhyrjes së dy avionëve “Canadair” të ardhur nga Italia, pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.
”Mirënjohje palës italiane për ndihmën si dhe palës suedeze për shprehjen e gatishmërisë. Sipas raportimeve të fundit është shmangur fatmirësisht rreziku për banesat dhe bizneset. Në orët e para të mëngjesit të nesërm do të fillojë sërish ndërhyrja nga ajri me mbështetjen e palës italiane dhe nga toka e qindra forcave operacionale”.
”Është bërë e mundur shuarja e flakëve në vatrën e zjarrit në Kaninë, bashkia Vlorë, ku zjarri përfshiu një sipërfaqe me ullinj si dhe në Nikël, ku u raportua një tjetër vatër zjarri, gatë ditës së sotme”.
“Mirënjohje të gjithë efektivëve të forcave zjarrfikëse, të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Pyjor, Zonave të Mbrojtura e vullnetarëve për angazhimin në këtë betejë me flakët”, thuhet në njoftim.