Vazhdon dëshminë në seancë private dëshmitari i 99-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

Prishtinë | 29 Tet 2024 | 10:18 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të martën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 99-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W04854 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmia e këtij dëshmitari është duke u dëgjuar në seancë private për publikun dhe pyetjet për atë i ka filluar mbrojtja e Selimit e përfaqësuar nga avokati Eric Tully, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, ky dëshmitar është duke dëshmuar përmes video-lidhjes dhe ashtu siç u tha në gjykatë, bashkë me atë është një përfaqësues i ‘dhënies së informacionit’.

Ky dëshmitar e ka filluar dëshminë të hënën pas dëshmitarit Fatmir Sopi, i cili dëshmoi në seancë publike.

Ndërsa, pas tij pritet që të dëshmojnë gjatë kësaj jave edhe tre dëshmitarë të tjerë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Të ngjashme