Vazhdon diplomacia, Macroni javën e ardhshme në Rusi e Ukrainë

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të takohet të hënën me homologun rus, Vladimir Putin, në Moskë, ndërsa të martën me homologun ukrainas, Volodymyr Zelenksiy, në Kiev, në kohën kur udhëheqësit perëndimorë po mundohen që ta shmangin konfliktin e madh me Rusinë për Ukrainën.

Macroni ka thënë se gjetja e një rruge të negociuar drejt uljes së tensioneve për Ukrainën është prioritet, ndonëse Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të dërgojnë 3.000 trupa shtesë në Poloni dhe Rumani, kur Rusia ka grumbulluar ushtarë afër Ukrainës, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Të enjten, presidenti francez zhvilloi biseda telefonike me homologët nga Rusia dhe Ukraina në përpjekje për të arritur progres për statusin e rajonit Donbas si pjesë e përpjekjeve për t’i ulur tensionet, thuhet në një deklaratë të zyrës së Macronit.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se Presidenti Macron e ka theksuar para Putinit dhe Zelenskiyt rëndësinë e diskutimit të kushteve për arritjen e baraspeshës strategjike në Evropë, e cila do të mundësonte ulje të tensioneve në terren dhe të garantonte siguri në Evropë.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Rusia ka formuluar disa opsione si arsyetime për ta pushtuar Ukrainën, përfshirë përdorimin e mundshëm të një videoje propaganduese për të shfaqur një sulm të fabrikuar.

Të ngjashme