Autoritetet australiane kanë lëshuar alarm të zjarreve në tërë rajonin New South Wales, ku po vazhdojnë të jenë aktive rreth 100 zjarre në natyrë.
Zyrtarët lokalë dhe policia kanë këshilluar që qytetarët që udhëtojnë për festa t’i shtyjnë planet e tyre për shkak se kushtet e rënda të motit paraqesin rrezik për përkeqësimin e gjendjes në terren.
Temperaturat e larta dhe erërat e fuqishme pritet të rëndohen edhe më shumë gjatë ditës së shtunë në tri rajone australiane.
Për më tepër, tri zjarre në rajonin e qytetit Sydney janë duke u përhapur në shkallë emergjente.
“Kërkojmë nga të gjithë që të mos udhëtojnë nëpër rrugët që ndodhen afër zjarreve aktive, nëse një gjë të tillë nuk e kanë të domosdoshme”, tha Gladys Berejiklian, kryetare e rajonit New South Wales.
Kombinim i i temperaturave më të larta se 40 gradë, shkallës së ulët të lagështisë së ajrit dhe erërave të fuqishme e ka vështirësuar punën e rreth 10 mijë personave që janë mobilizuar për t’i luftuar flakët në këtë rajon.
Dy zjarrfikës vullnetarë vdiqën të enjten gjatë kohës kur po përballeshin me një zjarr të madh afër qytetit Sydney. Zjarret janë përhapur edhe në rajonet e Australisë Jugore dhe Viktorias, ku dy civilë vdiqën të premten.
Që nga shtatori, tetë persona kanë vdekur, më shumë se 700 shtëpi janë shkatërruar dhe miliona hektarë toke janë djegur nga zjarret e mëdha në natyrë, shkruan “BBC”.